Nga Alba MAlltezi 

“Po më quajtët tradhëtar, nuk mërzitem”. Kështu e përfundoi statusin e tij Glauk Olldashi, me mendimin e sinqertë për Partinë Demokratike, ku babai aderoi dhe besoi. Glauku është ende i ri, por dëshirën për të kontribuuar në politikë e ka shprehur. Glauku, si dhe Rudina Hajdari janë fëmijë që janë rritur me bukë dhe politikë, por ndoshta, paparashikueshëm, janë rritur edhe me edukatë, mirësjellje dhe liri. Mund të jenë shkollat, familja, vetvetja, Perendimi, nuk e di se cili është mielli real i formimit të tyre, por këta dy të rinj sot janë këta që shohim, janë ndryshe. Të drejtpërdrejtë në artikulimin e tyre, por gjithnjë me një mburojë që e mbajnë me vete për t’u mbrojtur në çdo rast nga shigjetat e gojëve të liga që nuk pranojnë mendimin alternativ. Tamam siç do të ndodhte në kohën e Enverit: Linçim publik dhe kolektiv ndaj të ndryshmëve.

Sa herë e kemi shkruar dhe pretenduar më parë: Shqipëria dhe shqiptarët nuk mund të vazhdojnë të durojnë akoma më gjatë gjuhën e shpifjes, të agresivitetit, të denigrimit apo gjuhën seksiste që lidershipi i vjetër i Partisë Demokratike solli dhe rrënjosi duke kalbur përgjithmonë ëndrrat dhe idealet në PD. Një turmë pa sy dhe pa tru, që në shesh dhe nëpër rrjete sociale imiton dhe shumfishon gjuhën e tyre dhe dhunën e liderit, nuk ka rrugë tjetër veç izolimit dhe fatit të zi të shuarjes përgjithmonë. Nga balta e plehu lindin zambakë të bardhë, thotë një shprehje e moçme aziatike dhe kjo do të ndodhë me siguri edhe në baltën më të pisët që ka prodhuar politika jonë. Dhe integrimi ynë në botën e qytetëruar parashikon edhe vyshkjen e më të fundit mentalitet enverist të gjyqeve popullore, prokurorëve pa avokatë, sigurimsave, persekutorëve, denigruesve, parazitëve që nën petkun e “Demokratëve” jetuan pa u shqetësuar deri më sot. Rudina Hajdari dhe Glauk Olldashi, e shumë të rinj me mentalitet perëndimor, janë shpresa për një demokraci reale, të barabartë, e konkurruese. Do të vijë kjo ditë në Shqipëri e do të dalin të rinj ndryshe. Nuk ka ku të shkojë.