Nga Bedri Islami

Opozita ka shpallur sot protestën e saj të tetë kombëtare.

Në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” do të mbledhen dhjetra mijra njerëz, të cilët, në të shumtën janë joshur nga ideja se, kësaj here, ata do e hedhin qeverinë Rama, se do e përmbysin shefin e kësaj qeverie dhe, mos qoftë e thënë, të jenë joshur edhe nga mendimi berishian apo palokian, për ta zvarritur atë dhe për ta hedhur në ujrat e Lanës.

Të jetë në dorën e këtyre të dyve edhe mund ta bënin, pasi , i pari e ka provuar të hedhë mijra në lumin e vdekjes në vitin 1997, për çka thërret sot, ndërsa i dyti nuk ka edhe aq mend të arsyetojë se çfarë mund të ndodhë pas një vrasje.

Përballë njëri tjetrit janë dy institucione: opozita dhe shteti?
është paralajmërimi i dhunës dhe ruajtja e shtetit.
Janë një grupim njerëzish që sa herë janë provuar, aq herë kanë dështuar dhe e kanë hedhur vendin në greminë – përballë një qeverie , e cila, në jetësimin e saj 6 vjeçar, ka bërë zullume, sidomos nuk ka mbajtur premtimin për të ndëshkuar krimin.

Përballë janë dy njerëz: Lulzim Basha dhe Edi Rama.

I pari i provuar dhjetra herë dhe i dështuar dhjetra herë. I dështuar si punonjës i UNMIK-ut, i dështuar si ministër i Komunikacionit, ku u zhdukën 235 milionë euro në një rugë; i dështuar si ministër i jashtëm, kur dhuroi detin për një puthje bakojanis, i dështuar dhe i zhytur në krim si ministër i brendshëm, i dështuar si dember i pashoq dhe zhavtës në bashkinë e Tiranës.

I dyti i dështuar në Mosndëshkimin e së Keqes, i dështuar në forcimin e Oligarkisë Financiare, por vendosës i sistemit të shtetit. Ka humbur në PPP-të, të cilat do të rëndojnë një ditë mbi qafën e popullit, por ka vendosur detyrimin për të njohur shtetin.

A do e rrëzojë sonte opozita Edi ramën?

Njerëzit që janë tani në Tiranë janë joshur me këtë ide.

Jo rastësisht disa përgjime të vjetra, mbi 2 apo tre vjeçare, dolën nga bodrumet e Shqup-it politik përmes një media jashtë shqiptare.

Jo rastësisht kanë lobuar kaq shumë që vendi të mos jetë në BE.

Jo më kot kanë bredhur derë më derë duke sharë vendin e tyre dhe duke e njollosur atë si vendin e së keqes.

Njerëzit e mbledhur sot në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” janë thirrur pikërisht për të rrëzuar një qeveri të ligjshme dhe për të vendosur një qeveri jashtë ligjit.

E duan sepse vendosja e ligjit i ka trembur aq shumë sa që janë të gatshëm të sjellin vitin 1997.

Sonte, për herën e tetë, do të jenë përballë antiligji dhe shteti i së drejtës.

Edi Rama, sado fajtor të jetë, ka këtë mburojë të ligjshmërisë.

E ligjshmja gjykohet, por nuk rrëzohet.

Ajo mund të rrëzohet vetëm nga të ligjshmit…nga vetë e majta..por asnjëherë nga jashtë ligjit.

E shtuna e tetë do të ikë si e shtata… e diela do të jetë pushim, të hënën njerëzit do i kthehen punëve të tyre..të martën opozita do të caktojë një datë tjetër për protestën e rradhës…ose…ose…mos u habitni:

Pas protestës së dhunshme të kësaj të shtune, presidenti Meta, duke e përdorur si alibi çka krijoi familja e tij politike , do të shtyjë zgjedhjet vendore me 6 muaj.

Askush nuk do të mund ta gjykojë…as qeveria..pasi mungon gjykata kushtetuese….

A mund ta bëjë këtë?

Po, mundet…

Antiligji mbetet gjithnjë i jashtëligjshëm…