Në një tjetër përpjekje për të avokuar vendimmarrjen e tij mbi ç’dekretimin e zgjedhjeve të 30 qershorit, plot dyshime e diskutime, politike e juridike bashkë, presidenti Meta ofroi një tjetër shfaqje publike me pikëpyetje të madhe mbi integritetin e tij si president.

Nëse në të parën herë, atë të së hënës në 8 të mëngjesit, do bëhej estradesk me shqiponjën, shpendin simbolik të një afshi patriotik naiv – që mirë gjindjen, por pse duhej të kaplonte dhe lidershipin shqiptar – të martën pasdite do zgjidhte Kushtetutën duke e tundur faqe medias e publikut. E megjithatë, kësaj të fundit iu referua afro në 1/4 e ligjërimit të tij përplot arsyetime politike. Si gjithnjë, me terma të përgjithshëm të natyrës parimore, pa mundur të bëjë zbërthime të tipit nga neni në nen.

Pos kësaj, foli për një skenar të përgjakshëm, duke thënë se e morri vendimin e ç’dekretimit mu për të eliminuar atë – skenarin pra, sipas tij nga një dorë e huaj.

“Në bazë të gjithë ta dhënave jo për shkak të vullnetit të drejtuesve të dy palëve por për shkak të grupeve të interesave të caktuara jashtë dhe brenda vendit situata në 8 qershor mund të shfrytëzohej për akte që do të dëmtonin rëndë stabilitetin e vendit dhe që faji të mbetet jetim. Vendimi u mor pas bisedave me partnerët dhe agjencitë ligjzbatuese këtu”.

“Përpjekja ime ishte jo vetëm për të parandaluar të keqen që mund të ndodhte, por edhe për një dialog”.

E para, cili na qenka ky skenar? Siç është parë gjer më sot, nuk ka asnjë shenjë të një përplasjeje politike. Thjesht, militanca PD-LSI, ka praktikuar dhe aktet militare, në funksion të mbajtjes ndezur të temperaturave politike, por më shumë për një tërheqje vëmendjeje mediatike e politike në rrafshin ndërkombëtar.

E dyta, ç’lidhje ka vendimi për ç’dekretimin e zgjedhjeve me eliminimin e një pasoje me viktima, siç Meta pretendon, duke bërë dhe krahasime me 2 Prillin apo 21 Janarin? Opozita nuk ka dalë në rrugë më kërkesën për anullim zgjedhjesh, ka dalë me kërkesën për ikjen e Ramës.

Ndaj, nëse ndiqet logjika e presidentit, për të evituar çdo skenar, që sipas tij ekziston që mund të ndodhë nga një dorë e huaj, për hir të paqes sociale e politike duke ç’dekretuar dhe kryeministri(!!!).

E treta, ku po shihen shenjat e afrimit për dialog mes palëve që pas ç’dekretimin të zgjedhjeve? Pra, në ç’pikë është zbutur opozita – sepse ajo e ka diktuar krizën me dalje jashtë sistemit e me kërkesa të panegociueshme – pikërisht nga vendimmarrja e presidentit?

Siç është parë, opozita vetëm i është gëzuar aktit ç’dekretues, por nuk është tundur në ultimatumet e saj, e madje ka paralajmëruar sërish protesta, që, sipas asaj çfarë pretendon presidenti, ekzistojnë skenare gjakderdhjeje.

E katërta, Meta lëshoi dhe një frazë që duhet të trondisë jo vetëm shkollat politike por shkallmon çdo logjikë politike normale. Pyetjes së ku e gjeti konsensusin politik (mes palëve) për vendimmarrjen e tij (të njëanshme, pasi i shkon përshtat opozitës), Meta tha me një cinizëm tronditës: “E gjeta konsensusin tek këmbëngulja e të dyja palëve për të mos dialoguar!”

Le të dalë burrë nëne e ta fusë këtë arsyetim në rrafshin e logjikës politike. Pa llogaritur faktin se kjo është gënjeshtër, është një spekullim. Njëra palë (Rama), në mënyrën e tij, e ka shprehur gadishmërinë për dialogim, e pala tjetër kurrë, pasi qëndron në nivele ultimative e jo prirjeje për dialog mbi një çështje të caktuar. Dialogu vlen si nocion politik kur ka mosmarrëvshje mbi një problematike, e palët bëjnë përpjekjë për ta zgjidhur. Cila është ajo në këtë rast që duhet të dialogojnë palët? Opozita, dhe pikërisht për këtë dogji mandatet, kërkon as më pak por dhe shumë më tepër, largimin e Ramës, e….s’ka mbarruar, qeveri tranzitore e zgjedhje të parakohshme. Ndaj, përpjekja për simetri e presidentit është një tjetër njëanshmëri ulëritëse e tij.

E pesta, kur e shqetëson kaq shumë fakti se zgjedhjet mund të bëhen pa rivalitet klasik, që pra, sipas tij, do cenonin rendin demokratik, përse nuk e ka shfaqur këtë shqetësim dhe në rastin e djegies së mandateve nga PD-LSI? Edhe ky akt, është po aq cenues rendi demokratik.

E gjashta e ç’është më kryesorja, presidenti, në këto kushte politike ku dhe i jep të drejtë vetes për vendimarrje të natyrës politike, ka një konflikt të pastër interesi. Sepse, si bashkëshort i kryetares së LSI-së, ai, siç dhe është bërë e qartë deri më sot, në çdo qëndrim e akt, shkon përputhshmërisht me atë çfarë i intereson bashkëshortes biologjiko-politike Monika Kryemadhi.

Nëse Meta do përshkohej qoftë dhe nga një fije fare e hollë morali politik, duhej të mos qëndronte më president në kushtet e kësaj krize, gjithnjë kur zgjedh të marrë vendime, përveçse kur hesht politikisht e merret vetëm me qoka presidenciale. Thjesht, është në konflikt të pastër interesi.(Tesheshi)