Secili prej nesh në jetë ka një numër të vogël njerëzit, të cilët i do, njësoj siç mund të ketë dhe njerëz që nuk i pëlqejnë fare. Shpesh, zilia, sidomos mes femrave, lind pa ndonjë arsye të dukshme. Jo gjithmonë urrejnë atë që është më e bukur, më e pasur apo më e mençur: ndonjëherë kjo ndjenjë e bezdisshme lind për arsye instinkti ose pa ndonjë arsye të veçantë. Ka raste kur xhelozia femërore nuk është më një ndjenjë argëtuese dhe shndërrohet në diçka patetike, të bezdisshme dhe degraduese. Me kalimin e viteve, mund t’ju ketë ndodhur të kuptoni se njerëzit ziliqarë, kanë të gjithë pak a shumë të njëjtën sjellje.

Dinë gjithçka për ju- Kush ju ka zili duhet të dijë pothuajse çdo gjë që i përket jetës suaj personale, dhe duke jetuar në kohën e rrjeteve sociale, marrja e sa më shumë informacioneve, nuk ka qenë ndonjëherë më e lehtë se tani. Ziliqari di çdo gjë që ju bëni, ku jetoni, ku i keni kaluar pushimet verore. Në rastet më patetike ju bën edhe ironi në rrjetet sociale, duke përfshirë në komente shoqe edhe më budallaqe dhe xheloze. Gjëja më argëtuese është të vëzhgoni e të mos reagoni: për to do të jetë shumë e vështirë për t’u kapërdirë fakti që ju jeni e lumtur.

Buzëqeshje plastike- Me siguri ju ka rastisur që të keni takuar një të njohur në rrugë, që në momentin e parë ju ka përqafuar e buzëqeshur gjithë përzemërsi, por më pas keni marrë vesh, që sapo keni kthyer shpinën, për ju ka folur shumë keq. Nuk duhet të ndjeni aspak keqardhje për këtë sjellje. Kjo është sjellja më e zakontë dhe e shpeshtë ndër njerëzit ziliqarë; gjesti më i trashë dhe banal që mund të bëjë një femër, veçanërisht me mungesa të theksuara estetike dhe intelektuale.

Bëjnë thashetheme- Një tjetër hap i gabuar që zakonisht bën një person që ju ka zili, është fakti që thonë për ju gjëra krejtësisht të gënjeshtërta. Ziliqari vuan shumë për ekzistencën dhe lumturinë tuaj: objektivi i tij është ta shkatërrojë ekuilibrin tuaj.

I vënë re defektet tuaja- Jo gjithmonë është e lehtë që t’i çirrni maskën një personi ziliqar, pasi shpesh bëhet fjalë për një person që fshihet pas veprimeve të dashura apo një person që mendoni se e keni mik. Ndonjëherë është pothuajse një person që nuk ju shkon mendja fare, ndaj duhet të bëni kujdes dhe t’i mbani sytë hapur për ta dalluar atë. Sjellja më e shpeshtë e tij është fakti që ju kritikon gjithmonë. Ziliqari gjen mijëra pretekste që ju të ndiheni të papërshtatshëm. Në praninë e tij fustani nuk ju rri mirë, as flokët, as tualeti. Puna juaj ia shpif dhe sa më shumë të sforcoheni për të përmirësuar veten, nuk do të jetë asnjëherë mjaftueshëm për të.

Ju rri pas gjithë kohës- Një person ziliqar që do t’ju dëmtojë kërkon me çdo kush një mënyrë për t’u lidhur me ju, hiqet si mik vetëm që t’ju qëndrojë pranë. Ziliqari afrohet si një qen gjahu dhe nuk ju shqitet asnjëherë, sepse qëllimi i tij është që t’ju spiunojë në çdo çast. Kur qëllimi i tij është që t’ju dëmtojë, do të bëjë gjithçka për të njohur mendimet dhe zakonet tuaja, në mënyrë që të kuptojë se si t’ju sulmojë.