Xhelal Mziu, kreybashkiaku i Kamzës në detyrë, ka deklaruar se nuk do të lirojë zyrën pas zgjedhjeve të 30 qershorit, ndërsa në emisionin “I Ftuari” të Endri Xhafos, ai u shpreh se zbaton dekretin e Presidentit.

“Unë nuk jam faktor për ato që janë folur kohët e fundit, por për shkak të punës që bëj unë. Nuk jam në rolin e një të forti, por jam përfaqësues i të gjithë kolegëve të mi, për të treguar që zgjedhjet e 30 qershorit nuk janë ilegjitime. Besoj që dekreti i Presidentit është në fuqi për zhdekretimin e datës 30 qershor. Të gjithë kolegët e mi në zbatim të dekretit kemi zbatuar funksionet tona për të mos e njohur këtë datë dhe për t’u përballur me një tjetër datë”, tha Mziu.

Pas insistimit të gazetarit Xhafo se nëse do të qëndrojë në detyrë edhe kur firma e tij nuk do të njihet më si kryebashkiak dhe nuk do ketë më mundësi të lëvrojë asnjë fond, Mziu u shpreh se ai zbaton dekretin e Presidentit dhe për të zgjedhjet janë në 30 tetor, ndërsa në fund deklaroi nuk do ta mbajë zyrën peng.

“Kemi një dekret dhe zgjedhjet janë në datën 13 tetor. Deri në këto momente, ne flasim në zbatim të dekretit të Presidentit. Gjykata Kushtetuese është ajo që do të vendosë. Mandati im dhe i kolegëve të mi nuk është për të krijuar luftë, për të krijuar vrasje. Në finale ne nuk jemi ata që do ta mbajmë zyrën peng”, u shpreh Xhelal Mziu.

Me tej Mziu është pyetur dhe për përballjen që ai ka patur në vitin 2013 me drejtësinë, pas kallëzimit të IKMT, për shpërdorim detyre dhe zërave se ai po mendonte kalimin drejt Lëvizjes Socialiste për Integrim pas mungesës së mbështetjes nga Partia Demokratike. Xhelal Mziu mohoi të ketë dashur të bëjë një lëvizje të tillë duke thënë se marrëdhëniet e tij me kreun e PD, Lulzim Basha janë më shumë se politike.

“Është si ajo pjesa e mediave pranë qeverisë. Po ju them që lidhjet e mija me PD janë që në nëntor 1990. Marrëdhëniet e mija me Lulzim Bashën janë më shumë se politike. Ishte një mënyrë e partisë- shtet sot për të shantazhuar disa nga eksponetët e PD, midis tyre isha dhe unë dhe filluan thashethemet që unë doja të dilja te LSI. Jo vetëm që nuk kam dashur, por në asnjë lloj rrethane unë nuk i ndryshoj bindjet për t’u larguar nga PD. Nuk e ndryshoj partinë për asnjë lloj interesi personal”, shtoi Xhelal Mziu.