Nga Alfred Peza

E hëna e kësaj jave, 17 Qershor 2019, nuk ishte një ditë si gjithë të tjerat për politikën shqiptare. Ajo duhet të shënohet diku në ditarët e zhvillimeve politike të postkomunizmit në Shqipëri, si kulmimi i një përplasje të 30 viteve të fundit, në luftën finale për dominimin e skenës së madhe të vendit, pas zgjedhjeve të 30 Qershorit.

Ishte dita ku u përplasën si kurrë më parë jashtë një gare elektorale, tre liderët, që përfaqësojnë tri polet kryesore politike dhe të pushtetit në Shqipëri. Edi Rama u vu përballë provës së legjitimitetit të qeverisjes, në njërën nga lojërat më të pista të propogandës, së realizuar më parë nga kundërshtarët e tij të egër. Gazeta gjermane “Bild”, botoi përgjime të ofruara nga PD prej asaj që njihet si dosja 184 e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Bashkinë e Dibrës. Synimi është që PS të bëhet pis me çdo çmim për maipulim zgjedhjesh e blerje votash. Opozita vetëm tani po e ngre këtë pretendim, ndërkohë që SHBA e BE kanë deklaruar se Parlamenti ka dalë nga zgjedhjet e lira dhe qeveria e Edi Ramës, është legjitime. Eshtë hera e parë që një kryeministri shqiptar, i publikohet përgjimi i telefonit.

Lulzim Basha refuzoi që të paraqitej në Prokurori, ku ishte ftuar për ti komunikuar marrjen të pandehur për një çështje të hetuar edhe nga FBI, për lobimin në emër të PD në SHBA, me para me prejardhje ruse. Eshtë hera e parë për një lider opozite në Shqipëri, meret i pandehur për një akuzë të tillë, në vendin më pro amerikan të Europës.

Ilir Meta, një takim me përfaqësuesit e trupit diplomatik të BE në Tiranë, ku citohet të ketë thënë se nëse nuk zbatohet dekreti i tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 Qershorit, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, do urdhërojë ushtrinë që të dalë në rrugë për të ndaluar popullin të votojë. PS depozitoi në Parlament kërkesën me firmat e deputetëve për nisjen zyrtare të procedurës së shkarkimit të tij për shkelje të rënda kushtetutese. Eshtë hera e parë që një President Republike i nënshtrohet një procedure të tillë në Shqipëri. Kemi hyrë në këtë mënyrë në zonën e “Trekëndëshit të Bermudës” së politikë shqiptare. Ajo njihet ndryshe edhe si “Trekëndëshi i Djallit” apo “Trekëndëshi i Mallkuar”. Një udhëtim politik që do të zgjasi deri më 30 Qershor.

E sigurtë është se më 1 korrik e tutje, nuk duket që të ketë asnjë shans që të vijojnë rrugëtimin e tyre politik të tre bashkë. Ose Edi Rama nga njëra anë, ose Lulzim Basha (Sali Berisha), Ilir Meta (Monika Kryemadhi) do të triumfojë. Loja ka filluar. Jemi në finalen e numërimit nga poshtë. Këto 12 ditët në vijim deri atëherë, nuk janë asgjë për jetën e gjithkujt prej nesh. E sigurtë është që ato do të jenë gjithçka, për të ardhmen e Shqipërisë!(Alpenews)