Nga Alfred Peza

Në 24 orët e fundit shqiptarët kanë patur mundësinë, si rrallëherë përballë një situate të paprecedentë si ajo e djegies së mandateve të deputetëve të opozitës, të dëgjojnë edhe qëndrimin zyrtar të SHBA dhe atë të BE.

Pas zv. Nihmës Sekretarit Amerikan të Shtetit Metthew Palmer, në Tiranë ishte edhe raportuesi i Shqipërisë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein. Duke e ditur se në të shkuarën Washingtoni dhe Brukseli jo gjithmonë kanë qenë në harmoni, me të njëjtin zë dhe me të njëjtin qëndrim të troçtë e pa ekuivoke për të njëjtën çështje politike në vendet si ne, dikush ndoshta ka pritur që edhe këtë radhë të riktheheshin “hijet e së shkuarës”.

E për ta rifreskuar kujtesën deri në fund, përgjatë zhvillimeve më të rëndësishme politike të postkomunizmit, na ka shoqëruar ideja se SHBA ishte më e drejtpërdrejtë dhe më pa dorashka në qëndrimet e saj. Ndërsa BE dhe institucionet e tjera europiane në përgjithësi, dukeshin më me shumë ekuivoke, më të shfokusuara dhe më me doreza, pikërisht atëherë kur gjithkush priste një qëndrim që do të na e tregonte me gisht fajtorin.

Kjo qasje në pothuajse çdo rast, i bënte palët politike dhe mediatike në Tiranë, që ti lexonin qëndrimet e ndërkombëtareve ose bardhë, ose zi. Ose duke treguar vetëm gjysmat e mbushura të gotës së tyre dhe duke anatemuar gjysmën bosh të kundërshtarit. Ndaj, më shumë sesa e ndihmonin klasën tonë politike dhe opinionin publik, në rastin më të mirë dukej sikur ndërkombëtarët e turbullonin edhe më shumë situatën. E në rastin më të keq, dukej sikur i hidhnin pa dashjen e tyre, benzinën një zjarri ku në fund të fundit, digjeshim vetëm ne shqiptarët.

Këtë radhë kjo qasje duket e “përmbysur” në sensin pozitiv, po të kemi parasysh se nuk ishte SHBA që të deklarohej e kënaqur se BE ka të njëjtin mendim, qëndrim dhe qasje me të në raport me vendimin “in extremis” të opozitës shqiptare. Për të gjithë ata që e kanë të qartë këtë panoramë të këtyre 30 viteve të fundit, shiheni sa interesante tingëllon tani kur Fleckenstein thotë se “jam i kënaqur të mësoj se edhe zv. ndihmës Sekretari i Shtetit, Matthew Palmer ka të njëjtin mendim sikurse edhe ne në BE”!

Në këto kushte si Shtetet e Bashkuara të Amerikës ashtu edhe Bashkimi Europian, janë në unison kur thonë se:

  • E drejta e opozitës për të protestuar është demokratike, por jemi kundër dhunës së përdorur në protestat e saj.
  • Vendi i opozitës është në Parlament dhe se djegia e mandateve të deputetëve të saj, është i gabuar dhe i papranueshëm.
  • Inkurajohet dialogu për zgjidhjen e pretendimeve në institucione dhe dhënia e garancive nëpërmjet adresimit të problematikave në draftin e reformës së re elektorale.
  • Zgjedhjet e 2017 ishin të rregullta, Parlamenti i dalë prej tyre është legjitim dhe qeveria e Kryeministrit Edi Rama e votuar në të, është legjitime gjithashtu.
  • Institucionet kushtetuese të vendit dhe qeveria, janë funksionale.
  • Reforma në drejtësi është e pa kthyeshme dhe po ecën në drejtimin dhe me ritmin e duhur.
  • Vijimi i axhendës së integrimit të vendit në BE, është një sinjal pozitiv. Zyrtarët e SHBA dhe BE janë shprehur optimistë për ecurinë e Shqipërisë në këtë drejtim.

Në këto kushte, 30 qershori si data e dekretuar për zhvillimin e zgjedhjeve të përgjithshme lokale, duket se shënon edhe kufirin që do të ndaë “jetën nga vdekja” politike e PD, LSI dhe aleatëve të tyre. Për aq kohë sa të dy partnerët tanë strategjikë, SHBA dhe BE, nuk shohin asnjë shkak të qenësishëm, për të kundërtën, opozita jonë duhet të mari pjesë në këtë proces elektoral.

Nëse ajo heq dorë nga qëndimet e derisotme sa absurde aq edhe utopike, për ta fituar pushtetin në tavolinë dhe futet në garë, e ardhmja e opozitës është në dorë të saj, lidershipit të vet dhe zgjedhësve shqiptarë. Nëse pas daljes nga sistemi i pushtetit qëndror, opozita jonë del edhe nga sistemi i pushtetit lokal, atëherë vërtetë që ajo i ka hyrë detit në këmbë. Pas 30 qershorit, nëse kjo ndodh, atëherë duhet të lutemi të gjithë për të: Zoti e ndihmoftë!