Një grup prej 22 deputetësh të Parlamentit Evropian kërkuan që Kosovës t’i jepet liberalizimi i vizave pa shtyrje.

Përmes një letre drejtuar Këshillit Europian, Donald Tusk dhe presidencës austriake të BE-se, ligjvënësit shkruajnë se Liberalizimi i Vizave do të përmirësojë qëndrueshmërinë dhe do ta afrojë Kosovën me Bashkimin Europian.

Duke theksuar se ajo është i vetmi vend i papërfshirë në këtë regjim, deputetët shkruajnë se kjo krijon një ndjenjë izolimi, e cila ndikon në jetën e përditshme të qytetarëve kosovare.

Në letër përmendet fakti që Komisioni Europian, që më 18 korrik, e kishte pohuar se Kosova i ka përmbushur kriteret për përfshirje në këtë regjim dhe Parlamenti Europian me shumicë votash, ne 13 shtator mbështeti liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Propozimi i parë nga Komisioni Evropian qe dhënë në maj të vitit 2016, por procesi u bllokua për shkak të mos ratifikimit të marrëveshjes për shënimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi.

Pas gati tri vjet debatesh e përplasjesh në parlamentin e Kosovës, por edhe jashtë tij, marrëveshja u ratifikua në mars të këtij viti. Në Kosovë kishte shpresë se këtë muaj Këshilli i Ministrave i Bashkimit Evropian do ta diskutonte këtë çështje në takimin e 6 dhe 7 dhjetorit, por kjo nuk është përfshirë në agjendën e takimit, çka u konfirmua edhe gjatë vizitës së komisionerit të Zgjerimit Johanes Hahn në Prishtinë të hënën.

Raportuesja e Parlamentit Evropian për Liberalizmin e Vizave Tanja Fajon deklaroi në Bruksel, se qytetarët e Kosovës e meritojnë liberalizmin e vizave, sepse Prishtina i ka përmbushur kushtet e vendosura. Ajo specifikoi Gjermaninë dhe Francën si dy vende kyçe, ku procesi i liberalizimit është bllokuar.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here