Padia që Garda e Republikës kishte depozituar kundër Agim Llupos për të paguar faturat e dëmshpërblimit për familjen e një prej viktimave të 21 Janarit, do të gjykohet në Gjykatën Administrative.

Gjykata e Lartë ia ka kaluar kësaj Gjykate shqyrtimin e padisë, që fillimisht u depozitua në Gjykatën e Tiranës në nëntor të vitit 2018.

Një muaj më vonë, padia iu përcoll për kompetencë Gjykatës Administrative, por Garda bëri ankim në Gjykatën e Lartë.

Ndërsa së fundmi, edhe Gjykata e Lartë ka konfirmuar të njëjtin vendim si Shkalla e Parë, raporton Panorama.

Kolegji Civil prej tre anëtarësh ka argumentuar se mosmarrëveshja në këtë rast buron nga marrëdhënia e punës që ka pasur Garda e Republikës me Agim Llupon e si e tillë, konsiderohet mosmarrëveshje administrative.

Në këtë padi, Garda e Republikës i kërkon Llupos që t’i kthejë afro 60 milionë lekë të rinj, si shumë e shpenzuar prej saj për dëmshpërblimin e familjarëve të Ziver Veizit, një prej viktimave të 21 Janarit.

Në masën e dëmshpërblimit futen edhe shpenzimet e bëra për shërbimin e avokatëve, ekspertëve dhe psikologut në përballjen gjyqësore të Gardës me familjen e Veizit.

Në nëntor të vitit 2018, Garda e Republikës ka paditur ish-drejtuesin Ndrea Prendi dhe efektivin Agim Llupo, duke kërkuar që ata të paguajnë faturën e dëmshpërblimit për 4 viktimat e 21 Janarit.

Burime pranë Ministrisë së Brendshme thanë disa muaj më parë se, përmes një padie civile, Garda kërkon nga Gjykata e Tiranës që ish-komandanti Ndrea Prendi dhe ish-shefi i Njësisë Speciale Agim Llupo të dëmshpërblejnë familjet e 4 viktimave, si dhe të mbulojnë shpenzimet gjyqësore që kapin vlerën e 2.1 milionë eurove.

Seanca e parë ndaj ish-kreut të Gardës Ndrea Prendi u zhvillua më datë 6 nëntor e ndërsa seanca në ngarkim të Llupos ishte caktuar më vonë.

Dy ish-zyrtarët e Gardës u shpallën fajtorë për “Vrasje me dashje nga pakujdesia”, duke dënuar me 1 vit burg Ndrea Prendin dhe 3 vite Agim Llupon.

Në dhjetor të vitit 2017, qeveria ‘Rama’ miratoi një vendim për dëmshpërblimin e katër familjeve të viktimave, Ziver Veizi, Hekuran Deda, Aleks Nika dhe Faik Myrtaj. Këta të fundit mbetën të vrarë gjatë protestës së opozitës më 21 Janar të vitit 2011.

Përballja gjyqësore e familjarëve të viktimave të 21 Janarit dhe Gardës së Republikës nisi në vitin 2014. Në proceset gjyqësore ata kërkuan dëmshpërblim për dëmin pasuror dhe jopasuror të shkaktuar nga humbja e të afërmeve të tyre gjatë demonstratës.

Familjarët e Faik Myrtajt, Ziver Veizit dhe Hekuran Dedës kishin depozituar nga dy padi, përkatësisht, një padi nga ana e bashkëshortëve përkatës e fëmijëve dhe një padi tjetër për dëmshpërblim nga vëllezërit dhe motrat e viktimave. Ndërsa familjarët e viktimës Aleks Nika kishin regjistruar një padi të vetme.