“Dështim nuk do të thotë të rrëzohesh por të refuzosh të ngrihesh”, është shprehja që do i shkonte më përshtatë këtyre 14 VIP-ave shqiptarë që në jetën e tyre janë refuzuar, kanë dështuar, por sërish ja kanë dalë të ndjekin ëndrrën dhe të jenë sot të suksesshëm.

Enca në The Voice

Enca – Dikur këngëtarja konkurroi në “The Voice of Albania” por nuk u pranua. Ky refuzim nuk e ndaloi Encën të ecte përpara dhe t’i tregonte të gjithëve se mund t’ja dilte. Sot ajo konsiderohet si fenomen muzikor, këngët e saj arrijnë miliona shikime dhe është bërë e famshme edhe jashtë kufijve të Shqipërisë.

Belinda Dragoti në Miss Universe Albania 2018

Belinda – Belinda e ka filluar karrierën e saj si modele dhe ka marrë pjesë në disa kompeticione bukurie, një ndër to edhe “Miss Universe Albania”. Belinda ishte një nga finalistet pretendente për kurorën e më të bukurës por çmimin e parë e fitoi Trejsi Sejdini. Pavarësisht se nuk doli e para, Belinda ka realizuar ëndrrën e saj duke u bërë pjesë e “Xing me Ermalin”. Velina bukuroshe në shumë pak kohë është kthyer në një nga personazhet më të komentuar në media dhe ndër më të ndjekurat në rrjetet sociale.

Renis Gjoka, mentor i The Voice

Renis Gjoka – Sot është trajner i “The Voice Kids” por e dinit që Renis Gjokën dikur nuk e kanë pranuar në “Ethet e së premtes”? Këtë e ka zbuluar vetë Renisi për t’i dhënë kurajo një konkurrenti të vogël në “The Voice kids” për të cilin nuk u kthye asnjë nga trajnerët.

Rina Balaj në X Factor

Rina Balaj – Një nga reperet më të komentuara të momentit, Rina Balaj 4 vite më parë mori pjesë në “X Factor Albania”, por nuk u pranua dhe dështoi që në fazën e parë të audicioneve, bën të ditur Xing.al. Mirëpo as Rina nuk u dorëzua dhe dy vite më vonë reperja lidhi kontratë me ZZap & Chriss dhe realizoi disa këngë që u pëlqyen shumë. Edhe pse 19 vjeç, Rina ka arritur të jetë shumë e suksesshme në fushën e muzikës.

Greta Koçi tek Ethet

Greta Koçi – Këngëtarja ka marrë pjesë dy herë tek “Ethet”, por nuk arriti të kualifikohej në 10-shen finaliste. Pavarësisht se nuk shkoi shumë larg me këtë kompeticion, Greta sot është një nga këngëtaret më të dashura për publikun. Këngët e saj prej vitesh kanë mbetur hite dhe Greta vazhdon të jetë një nga personazhet më të komentuar në media.

Samanta Karavella tek Ethet

Samanta Karavella – Edhe Samanta e nisi rrugëtimin tek “Ethet” në një moshë shumë të vogël. Ajo madje shkoi deri në finale, por nuk arriti ta merrte çmimin e madh. Megjithatë Samanta e vazhdoi karrierën si këngëtare dhe u kthye në një nga të preferuarat e publikut e që vazhdon të mbetet sot e kësaj dite.

Xhensila Myrtezaj tek Ethet

Xhensila Myrtezaj – Ndonëse sot është një nga këngëtaret më të talentuara të Shqipërisë e që publiku e adhuron zërin e saj, Xhensila dikur është skualifikuar nga “Ethet e së premtes”, transmeton Xing.al. Këngëtarja shpërtheu në lot pas skualifikimit duke menduar se ëndrra iu pre në mes, por nuk e dinte që një ditë do të bëhej kaq e suksesshme sa është sot.

Ronela Hajati tek Star Academy

Ronela Hajati – Këngëtarja ka marrë pjesë në disa konkurse muzikore si “Ethet” dhe “Star Academy”, por eksperienca që i ka mbetur ende në mendje edhe sot Ronelës është ajo tek “Star Academy”. Ronela shkoi në finale, por nuk arriti të fitonte. Në një intervistë ajo ka treguar se ka qarë pasi meritonte më shumë. Megjithatë ndonëse nuk arriti të fitonte, Ronela u kthye në një nga këngëtaret më të dashura për publikun e që sot sjell vetëm hite.

Nik Xhelilaj në një nga rolet e tij të parë në serialet turke

Nik Xhelilaj – Sot është një nga aktorët më të famshëm në Turqi, por e dinit që Nik Xhelilajt dikur ja kanë refuzuar vizën? Pas 4 vitesh që priste për një përgjigje, Nikut ja refuzuan vizën. Megjithatë aktori nuk u ndal dhe fati ishte në anën e tij. Regjisori turk i bëri audicionet në Tiranë dhe Niku mori rol në një serial turk.

Kelvi Kadilli në audicionet e Top Select

Kelvi Kadilli – Edhe Kelvi Kadillin shumë vite më parë e kanë refuzuar. Prezantuesi në moshën 16-vjeçare mori pjesë në një audicion të “Top Select”, por u refuzua. Kelvi nuk u dorëzua dhe vazhdoi ndoqi ëndrrën e tij prandaj sot është një nga prezantuesit më të komentuar e që shkakton shpeshherë bujë me deklaratat e tij.

Bebe Rexha

Bebe Rexha – Dikur këngëtaren shqiptare e refuzuan në “American idol” dhe siç ka treguar vetë ajo, nuk ja doli as në raundin e parë. Ndërsa vitin e kaluar Bebes iu ofrua të ishte mentore në këtë spektakël. Në një postim në rrjete sociale këngëtarja tregoi se nuk u dorëzua kurrë nga ëndrra e saj për tu bërë këngëtare dhe ja sot ajo ka arritur majat e suksesit.

Ledion Liço tek Ethet

Ledion Liço – E dinit që edhe Ledion Liço dikur ka konkurruar tek Ethet? Ledioni u skualifikua bën të ditur Xing.al, por sot ai është një nga moderatorët më të suksesshëm e madje ka drejtuar një tjetër kompeticion këndimi “The Voice”.

Ylli Limani në The Voice

Ylli Limani – Sot është një nga këngëtarët më të dashur për publikun, por Ylli Limanin dikur nuk e kanë pranuar në audicionet e “The Voice”. Këtë e ka treguar vetë Ylli i ftuar së fundmi në “Xing me Ermalin”. Këngëtari tregoi se ndonëse nuk e kishin pranuar ai këmbënguli, por gjatë provave nuk i kushtonin rëndësi. Ylli rezultoi i suksesshëm dhe pavarësisht këtij refuzimi, ai sot vazhdon karrierën në muzikë dhe është një nga këngëtarët më të pëlqyer.

Albano Bogdo

Albano Bogdo – Aktori ka rrëfyer se nuk është pranuar në audicionet e “Portokalli” dhe asnjëri prej roleve të tij nuk ishte pëlqyer. Megjithatë më vonë Albano filloi punë tek “Apartamenti 2xl” ku mori famën e madhe dhe sot është një nga aktorët më të dashur për publikun e që i shkrinë të gjithë se qeshuri me batutat e tij.