Janë të paktën 1.2 miliardë lekë (të reja), ato që dyshohet që kanë kaluar nga sistemi i energjisë, në arkat e Partisë Demokratike në pesë muajt e parë të vitit 2013. E gjitha kjo, mundësuar nga Sahit Dollapi, i emëruari direkt i Sali Berishës dhe Genc Rulit në pozicionin e administratorit të përgjithshëm të CEZ.

Por, le t’i marrim gjërat me radhë. Përgjatë tetë viteve të qeverisë së djathtë, si një prej njerëzve më të besuar të Sali Berishës, Sahit Dollapi mbajti tre pozicione kyçe, atë të drejtorit të përgjithshëm të KESH, të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë dhe pas largimit të çekëve, edhe pozicionin kyç të administratorit të përgjithshëm të CEZ.

I graduar në këto pozicione jo për shkak të ndonjë kualifikimi të spikatur, por për besnikërinë dhe aftësitë e tij në organizimin e protestave në kohën e Nanos, drejtimi i këtyre institucioneve nga Dollapi është i mbushur me skandale dhe afera të rënda korruptive.

Duke nisur nga shpenzimet e luksit. Në momentin e marrjes së detyrës si drejtor i përgjithshëm i CEZ, në janar 2012, Dollapi denoncoi çekët për shpenzimet e tyre të luksit.

Megjithatë, vendosi në mënyrë arbitrare t’i caktonte menjëherë vetes një rrogë prej 5 mijë eurosh, duke porositur që në muajin e parë 150 celularë “iPhone 5”, në atë kohë marka më e re në treg, me vlerë 500 euro secili, si dhe një numër makinash të kushtueshme për drejtorët.

Rrjedhimisht, arkëtimet e CEZ erdhën në rënie, 8% vetëm në muajin e parë të drejtimit të tij, në shkurt 2012, një diferencë prej disa miliona eurosh që nuk dihet ku shkuan.

Humbjet e energjisë elektrike pёr 5 mujorin e parё të vitit 2013 arritën nё afro 1.253 miliardë lekë, pra sa rreth 50 % e energjisё elektrike tё hedhur nё treg. Nuk duhet harruar që vetëm një vit më parë, CEZ ishte nёn goditjen e ofensivёs qeveritare, qё nga kryeministri, Ministri i Financave, Ministri i Ekonomisë dhe vet grupi parlamentar i PD, me qëndrime anti-CEZ kur kjo kompani administrohej nga firma çeke.

Po t’iu referohemi arkëtimeve, për periudhën kur CEZ administrohet nga shteti, vihet re një përkeqësim i tyre. Për periudhën shkurt-prill 2013 arkëtimet janë 800 milionë lekë më pak, se për të njëjtën periudhë të vitit 2012. Vetëm në maj 2013, janë arkëtuar 400 milionë lekë më pak se në prill 2012, pra duket një tendencë në rënie e treguesit të arkëtimit, gjë që ka gjasa të jetë duke vazhduar edhe për muajin qershor 2013, si muaj elektoral.

Përgjatë kohës së drejtimit të CEZ, ashtu siç kishte ndodhur më parë në KESH apo UKT, u bë e zakonshme që tenderat të shpërndaheshin midis njerëzve të afërt, ndërsa mbulimi i gropës në buxhet nisi të mbulohej me “gjoba” gjithmonë e më të kripura ndaj qytetarëve dhe bizneseve.

Në maj 2013, në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, mediat publikuan në atë kohë një listë me dhjetëra mijëra emra qytetarësh, të cilët ishin detyruar të paguanin për muaj të tërë dyfish më shumë nga sa energji konsumonin.

Një politikë e tillë nuk ishte e rastësishme, sepse me urdhër nga lart, Sahit Dollapit i duhej të rriste të ardhurat nga ata që paguanin, për të mbuluar “parajsat eletorale” të Berishës, të personave dhe bizneseve që nuk paguanin asgjë për energjinë e konsumuar.

Nën drejtimin e Dollapit, CEZ u shndërrua gjithashtu në një vatër militantësh. Nga tre drejtori kryesore, Dollapi e zgjeroi në 10 të tilla, duke fryrë administratën me 4 500 persona.

Midis emërimeve më klienteliste të Dollapit në strukturën e “CEZ Shpërndarje” përfshihen: Ilirjan Shkëmbi, me arsim ushtarak, militant i PD dhe njeriu i besuar i afërave të drejtorit.

Erald Zeneli, ish-drejtor i Departamentit të Faturimit në CEZ dhe UKT, militant i njohur i PD. Sulejman Lami, drejtor i Tiranës, i larguar më herët nga çekët si i paaftë. Gjithashtu militant.

Neritan Gole, drejtor i Durrësit, pa arsim të lartë. Kryetar seksioni i PD në Durrës. Frano Pjetri, drejtor i Shkodrës, ish-arkëtar, militant. Luan Rami, drejtor për Burrelin, inxhinjer elektrik, pjesë e “grupit të zjarrit” të PD.

Dritan Haznedari, drejtor për Beratin, gjithashtu nënkryetar i PD Berat. Merxha Leka, drejtor për Elbasanin, militant. Pëllumb Beqiri, drejtor për Korçën, mësues, aktivist i njohur i PD. Artim Biraçi, drejtor i Gjirokastrës, drejtor tatimesh në jug, pa asnjë ditë përvojë në sistemin energjitik.

Ajdin Elezi, drejtor i Kukësit, i larguar edhe ai më parë nga CEZ për paaftësi dhe shkelje. Ilir Bregu, drejtor i tensionit të lartë në Tiranë, sekretar i grup seksionit të PD, si dhe Halim Lika, drejtor njësie në Durrës, i larguar për shkelje të rënda dhe abuzime në detyrë.

Shumë nga këta ish-drejtorë, tanimë janë pjesë e grupit të Dollapit, që i është besuar këtë herë në opozitë roli i “drejtorit të përgjithshëm të protestave të dhunshme”.

Një rol për të cilën Dollapi ka kredenciale të shkëlqyera. Nga këtu, del edhe historia e djeshme, në të cilën ai vetë u konfrontua me Policinë e Shtetit, me qëllim që t’i jepte PD një pretekst për të vazhduar fushatën e saj të vandalizmit edhe pas përfundimit të protestës.

Midis shumë protestuesve të varfër të gjendur në radhët e PD, arsyet e Dollapit janë krejt të tjera. Pjesëmarrja e tij në protestë nuk lidhet me varfërinë, por me miliona eurot që i ikën nga duart, që prej largimit të demokratëve nga pushteti.