Ylli i Juventusit, Cristiano Ronaldo, ka thënë se përkundër që ai i ka lënë prapë shumë shokë dhe një klub të madh, atij nuk i mungon Spanja pasi që të njëjtën gjë e ka gjetur edhe në Itali. Ronaldo u largua nga Real Madridi gjatë afatit kalimtar të verës së kaluar, kur u transferua në Juventus për 117 milionë euro. Në Madrid, Ronaldo i kishte fituar katër tituj të Ligës së Kampionëve brenda pesë sezoneve të fundit.

Edhe pse Ronaldo e ka nisur mjaft mirë karrierën në Serie A, duke i shënuar 19 gola, ai nuk ka arritur të jetë po kaq mbresëlënës edhe në ndeshjet e Ligës së Kampionëve, pasi që deri më tani e ka shënuar vetëm një gol. Megjithatë, super ylli portugez pretendon se ai dhe familja e tij janë përshtatur mjaft mirë në Itali, duke shtuar se për të ka qenë shumë e lehtë të përshtatet me jetën dhe futbollin në Itali.

“Jam i lumtur, edhe familja dhe fëmijët e mi janë të lumtur, gjithçka është pozitive. Ne jemi adaptuar mirë dhe familjes time i pëlqen Italia. Është një realitet ndryshe, një vend ndryshe me kulture dhe gjuhë tjetër, por jemi adaptuar mirë”, ka thënë Ronaldo. “Nuk më mungon Spanja ose Portugalia. Gjërat janë ashtu siç janë. Natyrisht, i kam lënë prapa shumë shokë, një klub të madh, e lash një klub që më dha shumë dashuri, njerëz e shokë… Por, nuk më mungon Spanja sepse të njëjtën gjë e kam edhe këtu. Nuk ka qenë aspak e vështirë për mua. Gjithçka ka qenë shumë interesante dhe ndryshe”.