Qendërmbrojtësi i Interit, Milan Skriniar, i ka quajtur gjepura spekulimet për të ardhmen e tij, përmes një postimi në llogarinë e tij në Instagram. Këtë reagim ai e bëri pas lajmit se Manchester Unitedi është i gatshëm t’i shpenzojë 60 milionë euro për ta transferuar atë. Mbrojtësi nga Sllovakia është dashur të mësohet me spekulimet për të ardhmen e tij pasi që nga momenti kur ai u transferua në Inter nga Sampdoria, në vitin 2017, vazhdimisht është raportuar për një largim të mundshëm të tij.

Barcelona, Real Madridi dhe Manchester Unitedi kanë qenë të përfshira në këto spekulime, veçanërisht gjatë kohës së fundit. Interesimin e këtyre klubeve të mëdha të Evropës, Skriniar e ka fituar përmes paraqitjeve të tij mjaft mbresëlënëse. “Djajtë e kuq” e kanë shprehur më së shumti interesimin për ta transferuar 23-vjeçarin në mënyrë që ta përforcojnë mbrojtjen e skuadrës. Tani që është hapur afati kalimtar i janarit, këto spekulime vetëm sa janë intensifikuar edhe më shumë.

Madje, mediat italianë kishin raportuar se Manchester Unitedi tashmë e kishte kontaktuar klubin italian dhe ia kishte bërë një ofertë prej 60 milionë eurosh për transferimin e Skriniarit. Megjithatë, këto spekulime janë mohuar nga vet Skriniar. “Ju shkruani për gjëra të cilat as nuk i dini. Jeni m*t. Shkruajeni një artikull për këtë gjë”, ka shkruar Skriniar mbi një foto të postuar në Instagram, ku shihen artikujt të ndryshëm në gazeta për të ardhmen e lojtarit.

Kjo nuk është hera e parë që Skriniar flet për një transferim të mundshëm në Manchester United, megjithatë përgjigja e tij në herën e kaluar nuk kishte qenë kaq e vrazhdët. Ai madje kishte thënë se ndihet mirë që një trajner si Jose Mourinho është i interesuar për të. “Kur një trajner si Jose thotë se është duke e kërkuar një lojtari si ti, është gjithmonë një ndjenjë e mirë, por unë nuk e di pse këto thashetheme po vazhdojnë. Unë nuk i kam thënë asgjë askujt, vetëm ato që i shihni në ueb”, kishte thënë vitin e kaluar Skriniar.