Trajneri i Tottenhamit, Mauricio Pochettino, ua ka bërë të ditur Real Madridit dhe Manchester Unitedit se ai nuk dëshiron të largohet nga klubi londinez përkundër interesimit të këtyre dy klubeve, duke thënë se dëshiron të qëndrojë edhe 20 vite në Tottenham. Pochettino u emërua në pozitën e trajnerit të Tottenhamit në vitin 2014, kur vendosi të largohej nga Southamptoni për ta nisur një përvojë të re në karrierën e tij. Që nga atëherë, ai e ka kthyer Tottenhamin në një klub garues për titullin e Premierligës.

Për shkak të sukseseve të tij me Tottenhamin, shumë klube e kanë shprehur interesimin për të. Njëra ndër klubet që gjatë kohës së fundit ka shfaqur interesim për argjentinasin është Real Madridi dhe tani problemet me trajnerin e ri, Santiago Solarin, kanë bërë që këto spekulime të ngjallen përsëri. Ndërsa, Manchester Unitedi e shkarkoi Mourinhon më 18 dhjetor dhe deri në fund të këtij sezoni e ka emëruar në pozitën e trajnerit Ole Gunnar Solskjaerin. Megjithatë, norvegjezi ka bërë të ditur se klubi është në kërkim të një trajneri tjetër për sezonin e ardhshëm dhe Pochettino mbetet favorit për këtë punë.

Megjithatë, përkundër interesimit të këtyre dy klubeve të mëdha, Pochettino thotë se ai është i përqendruar në punën e tij në Tottenham dhe dëshiron të qëndrojë në pozitën e trajnerit të kësaj skuadre sa më gjatë që të jetë e mundur. “Unë shpresoj, ose të paktën uroj, që të jem këtu për 20 vite dhe të vendosi të largohem ose ta përfundojë karrierën time këtu. Jam i përqendruar me punën këtu dhe dua të ndihmoj që klubi ta arrijë atë që e ka synim”, ka thënë Pochettino.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here