Viti 2019 duket se do të jetë një vit mjaft emocionues për Andorrën, klubi ky i cili sapo është blerë nga kompania e qendërmbrojtësit të Barcelonës, Gerrard Pique. Mirëpo, nuk është vetëm Pique i përfshirë në këtë klub, pasi që tani edhe Lionel Messi dhe Cesc Fabregas kanë blerë aksione të klubit. Gazeta spanjolle, El Diari d’Andorra, raporton se Messi dhe Fabregas kanë blerë një numër të madh të aksioneve të klubit, mirëpo jo aq shumë sa kompania e Pique, Kosmos.

Klubi nga Andorra për momentin është duke garuar në ligën regjionale të Katalonjës, mirëpo synon që të promovohet në Tercersa, nivelin e katërt të futbollit në Spanjë. Ish-futbollistët e Barcelonës, Albert Jorquera dhe Gabri Garcia, janë emëruar në pozitat e trajnerëve në Andorra dhe ata do të tentojnë ta bëjnë realitet ëndrrën e klubit për të kaluar nga futbolli amator në atë profesionist. Tashmë ka pasur disa transferime të reja në këtë klub, si Ernest Forgas, Oriol Dot, Joan Cervos dhe Claudio Bove. Të gjithë këta janë transferuar gjatë javëve të fundit.