Qendërmbrojtësi maroken i Juventusit, Medhi Benatia, dëshiron të largohet nga klubi italian, mirëpo drejtuesit e “Zonjës së Vjetër” nuk janë të gatshëm ta lejojnë largimin e tij të paktën deri në afatin kalimtar të verës.
Sipas mediave italiane, si Calciomercato.com, agjenti i Benatias, Houssine Kahja, u takua dje me drejtorin sportiv të Juventusit, Fabio Paratici, ku diskutuan për të ardhmen e qendërmbrojtësit, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, po e njëjta gazetë raporton se as pas këtij takimi, asgjë nuk ka ndryshuar në planet për të ardhmen e Benatias, pasi që Paratici ia bëri të qartë Kahjas se klubi nuk do ta lejojë largimin e tij, veçanërisht jo gjatë këtij afati kalimtar të janarit. Sipas mediave italiane, marokeni mund ta bindë klubin e tij për t’u larguar në fund të sezonit, gjatë afatit kalimtar të verës, kur atij do t’i ketë mbetur vetëm edhe një vit në kontratën me italianët.

Interesim për Benatian kanë shprehur shumë klube nga Evropa, megjithatë favoritët në garën për t’i siguruar shërbimet e tij janë Milani dhe Olympique Marseille. Klubi francez ka më shumë gjasa ta transferojë marokenin për shkak se trajner në këtë klub është ish-trajneri i Benatias, Rudi Garcia.