Si Arsenali, ashtu edhe Juventusi janë të interesuar për transferimin e James Rodriguezit, në rast se as Bayern Munichu, e as Real Madridi nuk dëshirojnë ta mbajnë atë më tutje në skuadër. Vendimi për të ardhmen e tij do të merret gjatë afatit kalimtar të verës. Gjermanët kanë kohë deri në qershor për të vendosur nëse dëshirojnë ta aktivizojnë opsionin për ta blerë kolumbianin për 42 milionë euro, ose ta lejojnë atë të kthehet në Santiago Bernabeu.

Nëse merret vendimi që ai të kthehet te “Los Blancos”, për të ardhmen e tij duhet të merret edhe një vendim tjetër nga trajneri dhe drejtuesit e klubit madrilen. Ata mund të vendosin ta shesin kolumbianin ose t’i ofrojnë atij një kontratë të re.

Ndërkohë, “Zonja e Vjetër” tashmë ka shprehur interesimin për 27-vjeçarin, pasi që edhe ylli i skuadrës italiane, Cristiano Ronaldo, dëshiron të ribashkohet me ish-bashkëlojtarin e tij në Real Madrid, Rodriguezin.

Megjithatë, sipas të përditshmes angleze, Daily Mirror, Juventusi nuk do të jetë klubi që e fiton të drejtën për transferimin e kolumbianit, pasi që Arsenali është po ashtu në këtë garë. Londinezët e kërkojnë Rodriguezin për ta zëvendësuar Mesut Ozilin, i cili raportohet se do të largohet gjatë afatit kalimtar të verës.

Siç qëndrojnë gjërat për momentin, lojtari i Real Madridit, i huazuar në Bayern Munich, do të ketë shumë opsione në dispozicion për të ardhmen e tij, e madje të gjitha klubet e përfshira në garën për të janë disa nga klubet më të mëdha të Evropës.

Lër një koment

Please enter your comment!
Please enter your name here